Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, sot u mbajt seanca fillestare ndaj Fatmir Shehollit, i cili përballet me akuza për veprat penale të ‘Spiunazhit’ dhe ‘Shantazhit’. Pas leximit të aktakuzës nga Prokuroria e Specializuar, Sheholli ka mohuar të ketë kryer veprat penale për të cilat akuzohet, duke u deklaruar i pafajshëm.
Avokati mbrojtës, Mentor Neziri, njoftoi se mbrojtja po heq dorë nga e drejta për të kërkuar hudhjen e aktakuzës dhe dëshiron të fillojë menjëherë me shqyrtimin gjyqësor. Ky veprim synon përshpejtimin e procedurave, duke shfrytëzuar afatin minimal për kundërshtimin e aktakuzës dhe provave.
Edhe i pandehuri Sheholli ka shprehur vullnetin për të hequr dorë nga e drejta për kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Gjykata ka njoftuar palët se çështja do të vazhdojë në shqyrtim gjyqësor dhe do të shqyrtohet nga një trup gjykues i caktuar automatikisht. Data e seancës së shqyrtimit gjyqësor do të njoftohet pasi të përfundojnë procedurat administrative.
Në seancë ishte i pranishëm edhe Nenad Rashiq, si i dëmtuar. Rasti lidhet me pretendime për lidhje me Shërbimin Informativ të Serbisë (BIA), ku prokuroria ka siguruar materiale dhe komunikime si prova.
Sipas aktakuzës, Sheholli akuzohet se nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga BIA, ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave. Ai pretendohet se ka mbledhur dhe përcjellë informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Për më tepër, Sheholli akuzohet për veprën penale të ‘Shantazhit’ ndaj personit A.J. gjatë viteve 2022 deri në dhjetor 2025, duke e detyruar atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij, me vlerë mbi 13,000.00 euro.


