Një video që po qarkullon me të madhe në rrjetet sociale ka shokuar opinionin publik, duke zbuluar një incident dhune mes këngëtarit të njohur Joz Marku dhe Eduard Kuçit.
Pamjet e plota tregojnë momentin kur Joz Marku, dukshëm i tensionuar, u kërkon shoqëruesve të tij në makinë të jenë gati për të filmuar një ngjarje të afërt. Menjëherë pas daljes nga automjeti, situata degradon shpejt kur Marku godet me shpullë Kuçin, i cili dëgjohet duke thënë emrin e tij.
Dialogu i zhvilluar mes tyre është mjaft i nxehtë. Joz Marku i drejtohet Kuçit me pyetje akuzuese: “A bën më gabim? Shih këtu. Kë shan ti? Për çfarë pëzihesh kot? Më shih në sy. Pse më ke sha?”. Kuçi përpiqet të qetësojë situatën duke u shprehur se i ka kërkuar falje, por Marku duket i irrituar dhe kërkon një falje më të thellë: “Ulu në gjunjë e kërko falje, mos e zgja më”.
Ky moment ka nxitur një debat të gjerë lidhur me sjelljet e dhunshme dhe marrëdhëniet mes figurave publike. Pas përballjes, Eduard Kuçi i ofron dorën Joz Markut, i cili e pranon dhe largohet nga vendi i ngjarjes, duke lënë pas një atmosferë të rënduar dhe shumë pikëpyetje për publikun.


