Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Kentucky, ku një autobus shkollor me 28 nxënës u përmbys. Brenda mjetit, duke përjetuar momente paniku, u dallua qetësia dhe guximi i Samuel Holcomb, një nxënës 10-vjeçar i cili u vlerësua për veprimet e tij.
Samuel, nxënës i klasës së pestë, tregoi se në momentin e parë të përmbysjes, ai mendonte se po ëndërronte. Fëmijët ranë mbi njëri-tjetrin, dhe disa prej tyre filluan të qanin.
Në vend që të humbte kontrollin, Samuel u përpoq menjëherë të kontaktonte prindërit dhe numrin e emergjencës. Pavarësisht sinjalit të dobët, ai nuk u dorëzua.
Më pas, ai u kthye për t’i ndihmuar shokët e tij. Samuel tregoi për përpjekjet e tij për të qetësuar fëmijët që ishin duke qarë, duke treguar një pjekuri të jashtëzakonshme për moshën e tij.
Si pasojë e aksidentit, disa nxënës dhe shoferi i autobusit janë dërguar për kontroll mjekësor. Shkolla ka nisur menjëherë ofrimin e mbështetjes emocionale për të gjithë fëmijët e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë.


