Një pikëpyetje e madhe qëndron mbi rrethanat e aksidentit fatal në Manëz, ku humbën jetën tre persona: italiani Kleo Vrioni, 26-vjeçarja Sara Brugnatelli dhe 15-vjeçari Alvi Muhaxhiri. Ndërsa hetimet në Shqipëri vijojnë për të zbardhur shkaqet e aksidentit, në Itali ka lindur një dyshim i fortë lidhur me statusin e çiftit Vrioni-Brugnatelli.
Sipas raportimeve të medias italiane, konkretisht ‘Corriere della Sera’, familja e Sarës ka shprehur habi dhe mosbesim, duke deklaruar se nuk kanë pasur asnjë informacion për një martesë të mundshme mes Sarës dhe Kleo Vrionit. Kjo vjen pavarësisht hipotezave se çifti mund të jetë martuar në Shqipëri, ndoshta në një ceremoni private, një fakt ky ende i pakonfirmuar zyrtarisht.
Sara Brugnatelli, e cila jetonte prej vitesh në Erbusko të Italisë, kujtohet nga familjarët dhe miqtë si një person energjik dhe e apasionuar pas jetës, me një dashuri të veçantë për kuajt, që ishte pasioni i saj më i madh. Muajt e fundit, ajo e kishte ndarë kohën mes familjes dhe lidhjes me Kleo Vrionin, banues në Ponte San Pietro.
Në Shqipëri, fokusi kryesor i hetimeve është shpejtësia e automjetit në momentin e aksidentit, e cila dyshohet të ketë qenë rreth 115–130 km/h. Po verifikohet gjithashtu nëse drejtuesi i mjetit ka qenë nën ndikimin e alkoolit. Ndërkohë, familja e Sarës pret kthimin e trupit të saj në Itali dhe mbetet në pritje të sqarimeve rreth dyshimeve për martesën e saj me Kleo Vrionin pak ditë para tragjedisë, si dhe për mungesën e informacioneve për këtë ngjarje.

