Sulmuesi serb Dusan Vlahovic ka zyrtarizuar kalimin e tij te Besiktas, duke i dhënë fund muajve të tërë spekulimesh rreth së ardhmes së tij. Pas një periudhe të gjatë dhe të suksesshme te Juventusi, Vlahovic ka pranuar një ofertë të konsiderueshme financiare, duke nënshkruar një kontratë trevjeçare me klubin turk.
Sipas raportimeve, Vlahovic do të përfitojë një pagë vjetore prej 10 milionë eurosh, ndërsa në momentin e firmosjes ka marrë një bonus prej 10 milionë eurosh. Mbërritja e tij në aeroportin “Atatürk” të Stambollit u shoqërua me entuziazmin e jashtëzakonshëm të tifozëve, të cilët e pritën me krahë hapur transferimin e tij.
Vlahovic ka përfunduar me sukses të gjitha procedurat e nevojshme dhe pritet t’i nënshtrohet vizitave mjekësore gjatë ditës së sotme. Ky transferim shënon mbylljen e një kapitulli të rëndësishëm në karrierën e tij te Juventusi, ndërsa hap një kapitull të ri në futbollin turk.
Megjithëse pati interes nga klube të tjera gjatë merkatos së verës, paga e lartë e sulmuesit serb ka qenë një pengesë për shumicën e tyre. Tani, Vlahovic do të ketë mundësinë të sfidojë sërish sulmues të nivelit të lartë, siç është Victor Osimhen, këtë herë në derbin e zjarrtë të Stambollit.
Me këtë lëvizje, Vlahovic synon të rikthehet në formën më të mirë dhe të bëjë një impakt të menjëhershëm te Besiktas, duke kontribuar në synimet e skuadrës për të arritur suksese në ligën turke dhe në arenën evropiane.

