Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas debatit të fundit mes ministrave të Jashtëm të Shqipërisë dhe Serbisë, duke e cilësuar si një “shkëmbim shumë interesant veror” diskutimin rreth lumit Ibër dhe çështjeve të tjera që lidhen me Kosovën.
Rama ka kritikuar qasjen e vazhdueshme të Serbisë për të përmendur konceptin e “Shqipërisë së Madhe” sa herë që Shqipëria shpreh qëndrime për Kosovën. Ai ka theksuar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe nuk ka nevojë për një koncept të tillë për të mbështetur Kosovën.
“Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës”, u shpreh Rama.
Duke iu referuar sovranitetit të Kosovës, ai shtoi: “Kosova është shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre”.
Kryeministri Rama ka deklaruar qartë se territori i Republikës së Kosovës nuk është territor i Serbisë dhe rrjedhimisht, burimet natyrore që ndodhen në të nuk i përkasin Serbisë.
Lidhur me lumin Ibër, Rama ka rikthyer vëmendjen te natyra e tij si një sistem ujor ndërkufitar. “Serbia është plotësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të pretendojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një shtet tjetër ndalen në mënyrë magjike në kufirin serb”, ka thënë ai, duke iu referuar parimeve të së drejtës ndërkombëtare për ujërat.
Rama ka prekur edhe çështjen e komunitetit serb në Kosovë, duke theksuar se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e fetare e tyre duhet të jenë të mbrojtura.
Në fund, kryeministri shqiptar ka theksuar dëshirën e Shqipërisë për marrëdhënie të mira me Serbinë dhe integrimin e të gjithë rajonit në Evropë. Megjithatë, ai ka paralajmëruar: “Fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë t’i kërkosh çdo fqinji të Serbisë të jetojë përgjithmonë brenda versionit serb të historisë”.


