Një debat publik i ndezur nga deklaratat e aktorit Fatos Kryeziu, i cili u shpreh se burri duhet të jetë dominues dhe e cilësoi veten “alfa”, ka marrë vëmendjen e gazetarit Adriatik Kelmendi. Ky i fundit, përmes një reagimi të fortë në rrjetet sociale, ka kritikuar ashpër dy aktorët për komentet e tyre, duke i quajtur ata “burra t’leshë”.
Kelmendi shprehu indinjatën e tij për mënyrën sesi dy individë, sipas tij, kanë zgjedhur të poshtërojnë gratë, duke përfshirë nënat, gratë, motrat, gjyshet, shoqet dhe koleget e tyre. Ai e cilësoi këtë si të papranueshme, sidomos kur bëhet në emër të një “ideologjie të gabuar”.
“Burra t’leshë! E shikova një sekuencë 2:02 minuta të gjatë të një emisioni televiziv. Zor të ketë mundësi që për aq pak kohë dy persona të zgjedhin t’i poshtërojnë nënat e veta, gratë e veta, motrat, gjyshet, shoqet, koleget aq shumë,” shkroi Kelmendi, duke theksuar absurditetin e këtyre pohimeve.
Gazetari e konsideroi bisedën e tyre një “tragjedi mazohiste” dhe shprehu shqetësimin se ideologjitë e vjetra patriarkale vazhdojnë të jenë prezentë në shoqëri, duke vështirësuar rrugën drejt barazisë gjinore.
“Paramendojeni! – hiç më pak se leshi,” shtoi ai, duke nënçmuar idetë e tyre si të bazuara në një superioritet të paarsyeshëm të burrave. Kelmendi shprehu zhgënjimin që aktorët nuk e kuptuan tonin satirik të diskutimit, duke e marrë atë seriozisht dhe duke e kthyer në një situatë të trishtë.
“Duke dashur ta poshtërojnë gjysmën e popullatës njerëzore, e poshtëruan veten,” përfundoi Kelmendi, duke bërë thirrje për reflektim mbi rolin e secilit në shoqëri dhe për luftën aktive drejt barazisë gjinore.


