Asambleisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Pejë, Naim Bytyçi, ka kritikuar ekzekutivin e kësaj komune për planifikimin e buxhetit për vitin 2025-2027, shkruan Gazeta Demos.
Madje, në mbledhjen e së premtes, asambleisti Bytyçi, ka pasur një replikë me kryetarin Gazmend Muhaxheri, i cili ka përdorur terma si shpiuna gjatë diskutimeve, por pa e specifikuar se kujt po i drejtohet.
Bytyçi ka kërkuar nga Muhaxheri, që të tregojë se kush është shpiun, ose të kërkojë falje për këtë.
“Kërkoj nga kryetari të tregojë se kush është shpiuni këtu sepse ne jemi 45 asambleistë ose në të kundërtën le të na kërkojë falje. Ne jemi njerëz mund të gabojmë por më e pakta është kërkimfalja. I ka ardhur koha, sepse çdo seancë shpiuni, shpiuni, ta dimë me emër dhe mbiemër. Këtë pikë kaq të ndjeshme siç është buxheti mos ta kalojmë me këto gjëra, dhe ose zbuloje shpiunin ose kërko falje. Ne që jemi më të ri që jemi rritur pas luftës nuk ka kapur të jemi shpiuna, nëse jemi kanë shpiuna, jemi kanë për të mirën e vendit”, ka thënë Bytyçi, raporton Gazeta Demos.
Ndërsa, duke folur për planifikimin buxhetor, Bytyçi, ka thënë se i tëri është elektoral, për fitimin e ndonje vote.
“Edhe ky buxhet i planifikuar 2025-2027 është i përcjellur me shumë ndryshime sa i përket ndrrimit të investimeve, largimit të disa investimeve, shtyrjen për një vit të disa investimeve tjera. Ka investime që janë paraparë me planifikimin 2024 dhe janë shtyrë deri në vitin 2027. Siç e dimë të gjithë mes vitit fiskal vjen edhe korniza afatmesme buxheore dhe edhe njëherë kontrollohen dhe mundësisht disa porojekte ndryshohet sepse është e drejt ligjore që të investohet në ato projekte që janë me të nevojshme”.
“Impianti për ujërat e zeza në fshatin Tërstenik, kjo ka qenë premtim në fushatë i Muhaxherit, impianti në fshatin Kuqishtë, edhe ky ka qenë premtim i kryetarit, projekti i sheshit “Shkelzen Haradinaj”, ka qenë i paraparë për 2025, 400 mijë euro edhe ky investim është shtyrë, ndërtimi i deponisë në fshatin Sfërkë 380 mijë euro. Nëse e sheh këtë planifikim për 2025-tën, i tëri është elektoral edhe pse s’po dua ta bëjë politik por e them elektoral sepse krejt është fokusuar buxheti qysh me ja shtru një asfalt të dera dikujt, një dritë, sa me mujt me bind për ndonjë votë”, tha Bytyçi.
Ai tha se investimet duhet të fokusohen rreth qytetit sepse fshatrat janë duke migruar në qytet shumë.