Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në zemër të Brukselit, ku futbollisti i talentuar Mohammed Fuseini është sulmuar dhe grabitur në orët e para të mëngjesit. Ngjarja, që ka tronditur opinionin publik, ka ndodhur rreth orës 06:30 në zonën e njohur të “Avenue Louise”, pranë klubit “Bloody Louis”.
Pesë persona të maskuar i kanë zënë pritë Fuseinit, duke e nxjerrë me forcë nga automjeti i tij dhe duke i marrë sende me vlerë, përfshirë një orë luksoze Rolex dhe dy telefona celularë. Grabitësit, pasi kanë neutralizuar lojtarin, kanë kontrolluar makinën për të siguruar çdo gjë me vlerë.
Pamjet e incidentit, të filmuara nga një shok skuadre i futbollistit, kanë qenë vendimtare për punën e policisë. Falë këtyre pamjeve, autoritetet kanë mundur të identifikojnë një nga autorët, një 23-vjeçar, i cili është arrestuar dhe aktualisht ndodhet në paraburgim me disa nga sendet e vjedhura.
Ndërkohë, policia po vijon kërkimet për katër personat e tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në këtë grabitje. Për fat të mirë, Mohammed Fuseini ka pësuar vetëm lëndime të lehta trupore dhe pas një kontrolli mjekësor, ka rifilluar aktivitetet sportive.
Klubi i tij, Royale Union Saint-Gilloise, ku Fuseini u bashkua në vitin 2024 dhe ku ka shënuar 14 gola në 72 ndeshje, ka dalë me një deklaratë duke e cilësuar ngjarjen si “veçanërisht tronditëse” dhe duke i ofruar mbështetje të plotë lojtarit. Futbollisti, i lindur në vitin 2002, ka gjithashtu dy paraqitje dhe një gol me kombëtaren e Ganës.


