Mëngjesin e sotëm, aktori i njohur turk Kerem Bürsin ka mbërritur në Shtëpinë e Drejtësisë në Çağlayan të Stambollit. Prania e tij në ambientet e gjykatës ka tërhequr menjëherë vëmendjen e medias dhe të publikut.
Arsyeja e paraqitjes së tij lidhet me hetimet që po zhvillohen nga Kryeprokuroria e Stambollit ndaj shoqatës humanitare “Ahbap Derneği”.
Sipas raportimeve, prokuroria po verifikon veprimtaritë financiare, fondet dhe bashkëpunimet e rrjetit në fjalë, ku në kuadër të këtij procesi po merren në pyetje disa personazhe të njohur të ekranit.
Bürsin është thirrur nga organet e drejtësisë në cilësinë e dëshmitarit për të dhënë sqarime mbi bashkëpunimin apo njohurinë e tij rreth aktiviteteve të hetuara, pa qenë i pandehur në këtë proces.
Ajo që ra në sy të gazetarëve të pranishëm ishte qetësia dhe pozitiviteti i aktorit. Ndryshe nga sa ndodh shpesh në raste të tilla, Kerem Bürsin u shfaq mjaft miqësor, duke i përshëndetur ngrohtësisht gazetarët dhe duke i pyetur për mirëqenien e tyre përpara se të hynte në ambientet e prokurorisë.


