Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka ndarë një detaj personal nga jeta e saj, duke zbuluar objektin që e shoqëron kudo: një varëse e personalizuar me kristale.
Në një intervistë për prestigjiozen ‘The New York Times’, Ora tregoi se kjo varëse, dhuratë nga një mike e ngushtë për 34-vjetorin e saj, nuk është thjesht një aksesor, por një burim i fuqishëm qetësie, mbrojtjeje dhe ekuilibri në botën e vrullshme të industrisë muzikore.
Varësja, e krijuar me kristale të zgjedhura posaçërisht për nevojat e saj shpirtërore, përmban elementë si citrin për energji pozitive, kuarc të tymosur për stabilitet, ametist të gjelbër dhe kuarc të pastër për të forcuar synimet dhe vetëdijen.
“Është një lloj objekti që më ndihmon të çliroj stresin dhe të ruaj energjinë time. Në këtë industri është shumë e lehtë të humbasësh ekuilibrin, ndaj kjo më ndihmon të qëndroj e përqendruar”, shpjegoi Rita.
Edhe pse pranon se mund të jetë një efekt psikologjik apo placebo, këngëtarja thekson besimin e saj të fortë te energjia reale e kristaleve. “Ndoshta është thjesht mendore, por ndihem e mbrojtur. Ndihem më e qëndrueshme. Nuk e di nëse është placebo, por besoj se këto gjëra mbajnë energji dhe energjia është reale”, u shpreh ajo.
Rita Ora zbuloi se e mban varësen pothuajse gjithmonë me vete, madje edhe kur nuk përputhet me veshjen e saj. “E vendos sa herë që mundem. Ndërroj shpesh veshjet, kështu që nëse nuk përputhet me to, e mbaj në çantë. Është gjithmonë me mua”, tha ajo.
Në të njëjtën intervistë, artistja foli edhe për rrënjët e saj shqiptare, duke theksuar se bestytnitë dhe traditat familjare kanë qenë pjesë integrale e rritjes së saj.

