Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, deklaroi se ka kohë që po tentohet të ngadalësohen veprimet e institucioneve të Republikës së Kosovës në veri te vendit kur u pyet për deklaratën e pazakontë të ambasadorit Jeffrey Hovenier.
Hovenier një ditë më parë tha se, “nëse dëshironi të hyni në një klub, mos urinoni në derën e tij” kur foli për dëshirën e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO ndërsa Qeveria nuk i dëgjon vendet partnere që i përkasin këtyre dy institucioneve për operacionet në veri.
Kusari-Lila, në një intervistë ekskluzive për Ditari Kosova në A2, tha se nuk ka mënyrë tjetër për çrrënjosjen e strukturave paralele dhe institucioneve të paligjshme serbë në veri sesa përmes veprimeve që janë ndërmarr nga Qeveria e Kosovës.
“Nuk ka pasur mënyrë apo format tjetër të veprimit atje me strukturat ilegale kur dihet betonimi në 25 vjet që nga përfundimi i luftës dhe ndikimit të vazhdueshëm të Serbisë në to, mbajtjes së financimit, e në veçanti pas sulmit terrorist të Banjskës dhe mos marrjes asnjë përgjegjësie apo sanksioni të Serbisë për mbështetje shtetërore për këtë sulm”, tha Kusari-Lila.
Ajo shtoi se përmes veprimeve të saj, Qeveria synon të shtrijë sovranitetin në veri dhe jo të dëmtojë dikë tjetër.