Një video e publikuar së fundmi ka nxjerrë në pah një rast të dyshuar të hyrjeve të parregullta në burgun e sigurisë së lartë në Peqin, duke vënë në qendër të hetimeve një vajzë bjonde, e identifikuar me inicialet A.M.
Dyshohet se A.M. ka hyrë në ambientet e burgut në prill të vitit 2025, një periudhë e ngarkuar nga ana politike për shkak të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025. Rasti është referuar menjëherë në Prokurorinë e Elbasanit dhe po hetohet në mënyrë intensive. Janë sekuestruar regjistrat e hyrje-daljeve, pamjet e kamerave të sigurisë dhe të gjithë dokumentacioni shoqërues i vizitave përkatëse.
Burime nga sistemi i burgjeve dhe grupi hetimor bëjnë me dije se po verifikohet edhe identiteti i personit që ka realizuar dhe shpërndarë videon nga brenda institucionit. Bëhet fjalë për një punonjëse të burgut, e cila ushtronte rolin e edukatores sociale. Ndaj saj kanë nisur menjëherë procedurat disiplinore.
Hetuesit po analizojnë me kujdes lëvizjet e A.M. brenda zonave të sigurisë së lartë. Në pamjet filmike, ajo shihet e shoqëruar nga një punonjëse policie, duke ngritur dyshime se mund të ketë pasur akses në zona të kufizuara të institucionit.
Një pikë kyçe e hetimit janë edhe pretendimet për takime të mundshme të A.M. me dy të dënuar të cilët aktualisht ndodhen në regjim të posaçëm sigurie në burgun e Peqinit. Të dënuarit në fjalë janë identifikuar me inicialet L.D. dhe R.Rr.
Ky rast bën pjesë në një hetim më të gjerë që përfshin disa institucione penitenciare në vend. Dyshohet për rreth 17 raste të hyrjeve të parregullta ose të dokumentuara në mënyrë të dyshimtë, veçanërisht gjatë periudhës parazgjedhore dhe paszgjedhore të majit 2025.
Sipas gazetarit Elton Qyno, një pjesë e këtyre hyrjeve të dyshimta dyshohet se janë kryer duke shfrytëzuar dokumentacion të deklaruar si bashkëjetesë, autorizime si përfaqësuese ligjore apo role të pretenduara profesionale si psikologe apo sociologe. Hetimet po vijojnë për të përcaktuar saktësisht përgjegjësitë e zyrtarëve të administratës së burgjeve dhe për të sqaruar mekanizmat që kanë lejuar këto hyrje në ambiente me siguri të lartë.


