Influencerja Efi Dhedhes ka reaguar fuqishëm ndaj debatit aktual në Shqipëri rreth personazheve të rrjeteve sociale, duke e cilësuar atë si një shpërqendrim nga problemet më urgjente të vendit.
Pas komenteve të kryeministrit Edi Rama dhe përplasjeve të ashpra në studiot televizive, Dhedhes ka shprehur indinjatën e saj përmes dy postimeve në Instastory. Ajo thekson se zhurma e krijuar po largon vëmendjen nga kauzat sociale dhe problemet reale që kërkojnë mbështetje.
“Ne e shohim këtë bashkë, e përjetojmë bashkë si shqiptarë, por arrijmë deri aty sa ta prishim gjithçka tjetër dhe ta harrojmë qëllimin kryesor,” ka shkruar ajo, duke shtuar se debati po përçan shoqërinë.
Dhedhes ka sqaruar se ky reagim vjen edhe nga mesazhet e ndjekësve të saj, të cilët e kanë nxitur të flasë publikisht. Ajo ka vënë në dukje se puna e saj dhe e shumë të tjerëve si influencues është një profesion real, nga i cili ata jetojnë.
“Kjo që po shohim këtu është puna jonë. Të paktën, kjo është puna ime dhe jam munduar, sado pak, të shtyj përpara dhe të fokusohemi te protestat që po ndodhin dhe te kauzat që po ngrihen,” ka deklaruar ajo.
Në fund, Dhedhes u ka bërë thirrje atyre që ushqejnë këtë debat: “Ju që postoni në TikTok dhe ju që rrini e bëni debate televizive për këtë punë, na lini rehat, sepse ne kemi punën tonë për të bërë.” Ajo ka apeluar që secili individ të kuptojë rolin dhe përgjegjësinë e tij, duke kërkuar që puna e influencuesve të mos pengohet.


