Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) ka lëshuar një paralajmërim të fortë lidhur me zvogëlimin e shpejtë të rezervave globale të naftës. Kjo situatë, e përkeqësuar nga ndërprerjet në furnizim të shkaktuara nga tensionet gjeopolitike, rrit ndjeshëm rrezikun e një rritjeje të re të çmimeve të naftës, raporton CNN.
Në raportin e saj mujor, IEA thekson se “bota po konsumon rezervat e naftës me një ritëm rekord”, ndërsa vendet importuese po hasin vështirësi të mëdha në sigurimin e furnizimeve nga Lindja e Mesme. Vetëm gjatë muajit prill, rezervat globale kanë pësuar një rënie prej 246 milionë fuçi, duke arritur nivelin më të ulët prej 7.9 miliardë fuçi. Ndërkohë, humbjet në furnizim për shkak të situatës në Ngushticën e Hormuzit kanë tejkaluar tashmë 1 miliard fuçi.
Sektori petrokimik është ai që po merr goditjen më të rëndë, me pasoja të drejtpërdrejta në prodhimin e produkteve esenciale si plastika, plehrat kimike dhe barnat. Gjithashtu, çmimet e larta të karburantit kanë sjellë një rënie të ndjeshme të numrit të fluturimeve ajrore në nivel global.
Për pasojë, IEA ka ulur parashikimin e saj për kërkesën globale të naftës për këtë vit, duke e vlerësuar atë në 104 milionë fuçi në ditë, rreth 1.3 milionë fuçi më pak sesa parashikimet përpara fillimit të krizës.

