Një zyrtar policor ka përfunduar në pranga pas një operacioni të Inspektoratit Policor të Kosovës, i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.
Siç mëson Prishtina Post , bëhet fjalë për Edison Limanin, zyrtar policor në Stacionin Policor në Shtërpcë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Ferizaj.
Sipas informatave, ai dyshohet se ka pranuar 2,000 euro, si pjesë e një shume të përgjithshme, në lidhje me veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Arrestimi i tij është realizuar më 16 prill, gjatë një operacioni hetimor me masa të fshehta, përfshirë simulimin e korrupsionit, ku i njëjti është kapur në flagrancë.
Operacioni është zhvilluar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj.
