Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar ndaj kryeministrit Albin Kurti lidhur me debatet për hapjen e urës mbi Lumin Ibër. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj iu përgjigj pyetjes publike të Kurtit se “nga cila anë e urës” është ai, duke theksuar se ka pasur përpjekje të kaluara për të ndarë Pejën dhe Mitrovicën, si dhe gjithë Kosovën, përmes shkëmbimit territorial.
“Por, as atëherë e as sot, s’kanë gjetur te unë aleat të ndarjes, e nuk do të gjejnë kurrë,” tha Haradinaj, duke konfirmuar angazhimin e tij për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës.
Duke iu drejtuar pyetjes së Kurtit, Haradinaj shtoi: “Albin Kurti, përmes sejmenëve të tij, ma paska bërë një pyetje publike se ‘nga cila anë e urës’ jam unë! Po pse u dashka që unë të jem në njërën anë të urës! Unë jam ku kam qenë gjithmonë, në çdo milimetër të territorit të Kosovës dhe se tek Ura e Ibrit nuk ka dy anë. Po ju që po pyesni nga cila anë, a po sugjeroni që atë pjesë ta ndani në dysh, apo si e keni hallin?! Ose në cilën anë jeni ju, që ta marrim vesh njëherë e mirë!”
Kjo deklaratë e Haradinajt vjen në një moment kur çështja e urës mbi Lumin Ibër ka ndezur debate të forta politike, duke reflektuar ndarjet e thella brenda skenës politike të Kosovës.
