Grupi për Politikat dhe të Drejtën Ndërkombëtare Publike në Uashington publikoi këto ditë një raport në të cilin thotë se kërkesat ndaj autoriteteve shtetërore të Kosovës për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës dhe se do të shkeleshin kompetencat që kjo kushtetutë ua jep autoriteteve komunale.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, njëri prej autorëve të raportit, Jason Steinbaum, i cili në të kaluarën ishte këshilltar i kryetarit të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, tha se procesi i Asociacionit, i cili është çështja kryesore që ka shkaktuar përplasjet më të mëdha ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, është politizuar dhe se rruga kushtetuese, përmes të cilit komunat mund ta krijojnë vetë asociacionin, është rrugëdalje nga ngërçi.
“Raporti ynë përshkruan procesin të cilin e parashtron Kushtetuta e Kosovës dhe Kushtetuta e Kosovës paraqet një proces në bazë të së cilit vetëm komunat kanë autoritetin për të krijuar asociacione. Pra, nëse ato e duan një të tillë, sipas analizës që i kemi bërë Kushtetutës së Kosovës, atëherë le ta krijojnë. Ato mund ta krijojnë asociacionin në çdo moment që dëshirojnë, pavarësisht asaj që thotë komuniteti ndërkombëtar, autoritetet shtetërore të Kosovës apo qeveria e Serbisë, apo pavarësisht dialogut. E kanë autoritetin ta bëjnë një gjë të tillë që tani, sipas kushtetutës së Kosovës”, tha Steinbaum.
Steinbaum shtoi se të gjithë duan ta ndihmojnë një komunitet të themelojë një asociacion, të cilin ata thanë se e duan dhe kjo nuk është gjë e keqe.
Megjithatë, ai theksoi se nuk është kompetencë e Qeverisë ta themelojë Asociacionin që bie ndesh me Kushtetutën.
“Nuk është kompetencë e tyre në radhë të parë, bazuar në Kushtetutë. Kosova e konfirmoi se do të bëhej me marrëveshjen e vitit 2013. Në atë marrëveshje, që u ratifikua nga kuvendi, qeveria tha se do të ketë një asociacion të komunave me shumicë serbe. Ata nuk e themeluan. (Po ta bënin këtë) do të shkelnin Kushtetutën, por ata po shprehnin dëshirën dhe kjo është në rregull. Ajo marrëveshje gjithashtu tha se do të themelohej dhe se statuti i saj do të shkruhej në të njëjtën mënyrë si asociacioni i zakonshëm i komunave, që e krijojnë vetë komunat. Nuk mendoj se qeveria në fakt ka kompetenca ta bëjë një gjë të tillë. E kuptoj argumentin dhe kritikat, por mendoj se ka një mënyrë më të mirë për ta bërë këtë gjë, që t’i kthehemi dhe të shohim Kushtetutën”, tha ai.