Një vatër tjetër zjarri është aktivizuar në qarkun e Kukësit.
Gjatë pasdites, zjarri shpërtheu në vendin e quajtur Fierza e Qemës, në fshatin Kishaj të bashkisë Has. Flakët kanë përfshirë masivin pyjor të këtij fshati, në një terren të vështirë dhe të largët nga rrugët automobilistike.
Ekipet e shërbimit zjarrfikës të bashkisë Has dhe punonjësit e shërbimit pyjor janë nisur drejt vendit të ngjarjes për të luftuar flakët.
Ndërkohë, në dy vatrat e tjera aktive, në Zogaj të Tropojës dhe Letaj të Hasit, po punohet për izolimin e tyre. Në vendngjarje janë angazhuar rreth 200 forca, përfshirë 100 ushtarë Komando dhe zjarrfikës të tjerë.
Në fshatin Peraj të Hasit, pranë kufirit me Gjakovën, zjarri ka shpërthyer disa mina luftarake që mendohet të jenë të mbetura nga lufta e Kosovës në vitin 1999. Për shkak të kësaj situate, punonjësit e shërbimeve zjarrfikëse kanë ndaluar punën dhe janë zëvendësuar nga forcat ushtarake që do të monitorojnë situatën në mënyrë të specializuar.
Vatrat e zjarrit po ndihmohen nga temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta të zonës. Për momentin, bëhet e ditur se zjarret nuk rrezikojnë banesat e fshatrave përreth.
