Policia e Kosovës ka pranuar sot një donacion me pajisje elektronike nga Qeveria Britanike, në vlerë rreth 10,000 euro, për të forcuar kapacitetet e saj në fushën e komunikimit. Donacioni u dorëzua në një ceremoni në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës, ku u lansua edhe Manuali i ri për Komunikim.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, falënderoi Qeverinë dhe Ambasadën Britanike për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të qartë dhe të saktë për besimin dhe sigurinë publike.
“Ky donacion dhe Manuali i ri për Komunikim do të shërbejnë si një udhëzues i rëndësishëm për avancimin e komunikimit dhe ofrojnë praktikat më të mira për komunikim me publikun,” tha kolonel Hoti.
Pajisjet elektronike do të përdoren nga Drejtoria për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, ndërsa Manuali i ri do të shërbejë si udhëzues për të gjithë punonjësit e policisë në komunikimin me publikun dhe mediat.
Policia e Kosovës theksoi se mbetet e përkushtuar për të forcuar strategjitë e komunikimit, për të mësuar nga praktikat më të mira ndërkombëtare dhe për të siguruar që Policia e Kosovës të vazhdojë të udhëheqë me profesionalizëm, integritet dhe transparencë.
